Për herë të parë, Platforma Civikos dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerëve socialë nga Kosova morën pjesë si Anëtarë Kandidate për Zgjerim (ECM) në Sesionin Plenar të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE).
Platforma CiviKos u përfaqësua në këtë tryezë të nivelit të lartë për zgjerimin e Bashkimit Evropian nga Gresa Berisha. Si pjesë e angazhimit të saj në këtë funksion, Platforma CiviKos do të marrë pjesë për herë të parë edhe në një Grup Studimor të KESE-së – EU Enlargement & Eastern Neighbourhood, duke kontribuar në hartimin e një opinioni të Komitetit.
Gjatë sesionit plenar, Dren Puka, Drejtor Ekzekutiv i KCSF-së dhe anëtar i Bordit të Platforma Civikos, iu drejtua seancës duke theksuar se suksesi i procesit të zgjerimit dhe i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor varet nga përfshirja kuptimplotë e shoqërisë civile dhe qytetarëve në reformat demokratike. Ai kërkoi që Bashkimi Evropian ta trajtojë financimin e shoqërisë civile si investim strategjik për demokracinë dhe reagoi ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunović, duke theksuar se retorika e luftës nuk ka vend në një proces zgjerimi të bazuar në vlerat e paqes, demokracisë dhe llogaridhënies.
Përfshirja në punën e KESE-së përmes iniciativës së Anëtarëve Kandidatë për Zgjerim krijon mundësi të reja që zëri i shoqërisë civile të Kosovës të jetë pjesë e proceseve konsultative të Bashkimit Evropian dhe të kontribuojë në diskutimet që shoqërojnë procesin e zgjerimit.



