Pas një periudhe tre mujore të analizës së përvojave më të mira të bashkëpunimit nga vendet rajonit dhe Europës, me 10 Shkurt 2011, Platforma CiviKos, para organizatave të shoqërisë civile prezantoi studimin “Drejt bashkëpunimit të strukturuar në mes shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Kosovë”. Pas prezantimit të analizës diskutimi u fokusua në nevojën e bashkëpunimit të sektorit të shoqërisë civile me autoritetet publike në Kosovë.
Si rrjedhojë, organizatat prezente në takim konsideruan se përcaktimi i rregullave të bashkëpunimit me autoritetet publike është i domosdoshëm dhe se puna për hartimin e një strategjie të bashkëpunimit duhet të fillojë sa më shpejt.
Në fund të takimit u përcaktuan fushat kryesore në cilat mund të shtrihet bashkëpunimi me autoritetet publike, dhe ato janë:
- Avancimi i kornizës ligjore për funksionimin e organizatave të shoqërisë civile;
- Përkrahja financiare (direkte dhe indirekte) për shoqërinë civile;
- Kontraktimi i disa shërbimeve publike tek shoqëria civile;
- Fuqizimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrje;
- Përfshirja e shoqërisë civile në procesin e Integrimit Europian.
Në vazhdim, të gjitha organizatat anëtare në Platformën CiviKos do të përcaktohen në njërën nga fushat e lartpërmendura, varësisht prej përvojës së tyre dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë në mbledhjen e inputeve drejt hartimit të strategjisë së bashkëpunimit me autoritetet publike në Kosovë.
Content retrieved from: http://civikos.net/sq/aktivitetet-e-platformes-civikos/Drejt-bashkepunimit-te-strukturuar-ne-mes-shoqerise-civile-dhe-autoriteteve-publike-ne-Kosove-42.