Skip to main content

Sot me datë 21.11.2016 Platforma CiviKos organizoi konferencën rreth bashkëpunimit të shoqërisë civile dhe Qeverisë. Në të morën pjesë z. Isa Mustafa, Kryeministër i Republikës së Kosovës, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të organizatave ndërkombëtare, të Këshillit për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, aktivistë të shoqërisë civile dhe Mediave. Gjatë këtij takimi, Shoqëria Civile adresoi çështjet me interes për sektorin tek Kryeministri Mustafa.

 

Kryeministri Mustafa ishte i ftuar të bashkëbisedojë me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile rreth bashkëpunimit shoqëri civile – qeveri.  Në fillim të kësaj konference, Drejtoresha e Platformës CiviKos znj. Valdete Idrizi theksoi se Kosova është duke u ballafaquar me probleme të mëdha, në fusha të ndryshme,  ku shoqëria civile në mënyrë të vazhdueshme është duke ngritur zërin, qoftë përmes protestave apo avokimit. Idrizi shtoi që bashkëpunimi mes sektorit të shoqërisë civile dhe Qeverisë poashtu është i një rëndësie të veçantë. Bashkëbisedimi i sotëm me Kryeministrin Mustafa u fokusua tek çasja  e qeverisë ndaj sektorit të shoqërisë civile, si dhe problemet që organizatat ballafaqohen karshi këtij institucioni. Çasja selektive e disa ministrive në raport me organizatat e shoqërisë civile në përfshirje, ndarja jo-transparente e fondeve publike për organizata, mungesa adekuate e konsultimit publik, etj, ishin disa nga temat që u adresuan në mënyrë të drejtpërdrejt tek Kryeministri.

 

Përveç bashkëpunimit në përgjithësi, me theks të veçantë u trajtuan disa nga sfidat dhe problemet në zbatim të Strategjisë Qeveritare si:  neglizhenca e përfaqësuesve të Qeverisë në Këshill, qasja jo-serioze ndaj sektorit, vonesat në zbatim të Strategjisë, mos-ndarja e buxhetit nga Qeveria për zbatim të Strategjisë, etj. Përfaqësuesit e organizatave të personave me nevoja të veçanta kërkuan përkrahje më të madhe nga Qeveria për këto kategori, përmirësimin e infrastrukturës ligjore, si dhe zbatimin e ligjeve aktuale që rregullojnë çështjet e personave me nevoja të veçanta.

 

Kryeministri Mustafa u zotua se të gjitha shqetësimet e ngritura të trajtohen me seriozitetin më të madh nga Qeveria, dhe që shumë shpejtë në  takimin e radhës të Këshillit të jetë prezent dhe të kërkojë llogari dhe përkushtim nga të gjitha ministritë pasi që roli i shoqërisë civile është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Gjithashtu ky takim u vlerësua edhe nga aktivistët e shoqërisë civile që konsiderohet një fillim i mirë për përmirësimin e bashkëpunimit mes dy sektorëve.

 

Platforma CiviKos, me një anëtarësi mbi 180 organizatash, është e përkushtuar në krijimin e një ambienti të favorshëm të bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe Qeverisë duke siguruar transparencë dhe gjithpërfshirje në gjithë procesin, dhe do të vazhdojë në ngritjen e zërit në çështjet me interes për sektorin.