Sekretariati i Platformës CiviKos gjatë muajit Prill 2017 organizoi gjashtë takime rajonale të cilat u mbajtën në Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Pejë, Prizren dhe Prishtinë me organizatat e shoqërisë civile rreth sfidave të zbatimit të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017. Në këto takime u prezantua zbatimi i Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile deri më tani, raporti i publikuar për ndarjen e fondeve publike, përcaktimi i Standardeve Minimale për ndarjen e fondeve publike për OShC, si dhe lansimi i Platformës online për procesin e konsultimit publik ku u vlerësuan pozitivisht në ngritjen e transparencës dhe krijimit të një ambienti më të përshtatshëm për shoqërinë civile në Kosovë.
Përfaqësuesit e OShC-ve prezente në takim e panë shumë të rëndësishme ndërtimin e sistemit të kontraktimit të shërbimeve për OSHC- si dhe procesin e hartimit të rregullores për Standardet Minimale për ndarjen e fondeve publike për OShC. Gjithashtu një ndër rekomandimet kryesore nga organizatat prezente ishte që sistemi i kontraktimit të shërbimeve, konsultimi publik, transparenca në ndarjen e fondeve publike të rregullohet edhe me qeverisjen lokale. Përfaqësuesit e OShC-ve prezente në takim diskutuan rreth mundësisë së angazhimit më konkret gjatë vitit të fundit të zbatimit të Strategjisë Qeveritare, si të kemi angazhim efikas në procesin e përgaditjes/përpilimit të Strategjisë së re dhe rreth procesit të konsultimeve publike përmes Platformës Online të Konsultimeve Publike.
Platforma CiviKos do ti shqyrtojë të gjitha rekomandimet dhe sugjerimet e dalura nga të gjitha takimet rajonale, në mënyrë që të përgadis një raport përmbledhës që do të shërbejë si nismë për përgaditjen e Strategjisë së re Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile.
Këto takime u organizuan me mbështetjen e Zyres së TACSO-s në Kosovë.