Në kuadër të përgatitjeve për hartimin e kornizës së strategjisë së bashkëpunimit në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Kosovë, më 23 Mars 2011, u mbajt takimi i parë i grupit punues “Roli i shoqërisë civile në procesin e Integrimit Europian”.
Fillimi i takimit u karakterizua me diskutimet e pjesëmarrësve mbi rëndësinë e angazhimit të organizatave të shoqërisë civile në procesin Integrimit Europian të Kosovës, situatën aktuale të bashkëpunimit me autoritetet publike në nivelin qendror dhe lokal, përvojat e vendeve te rajonit drejt formalizimit të një bashkëpunimi të strukturuar në mes të organizatave të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike të vendit, etj.
Përfundimet e dala pas diskutimit nga pjesëmarrësit në takim mund të përmblidhen në pikat në vijim:
• Në takimet e radhës të grupit punues të ftohen organizata tjera të cilat veprimtarinë e tyre e kanë të shtrirë në fushën e Integrimit Europian, në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje të organizatave;
• Bashkëpunimi i organizatave të shoqërisë civile me autoritetet publike në Kosovë ekziston vetëm në raste të caktuara, mungon një strukturim i këtij bashkëpunimi;
• Kontributi i organizatave të shoqërisë civile në procesin e Integrimit Europian duhet të njihet institucionalisht;
• Të shfrytëzohen maksimalisht praktikat e mira të vendeve të rajonit drejt krijimit të një mekanizmi të mirëfilltë bashkëpunimi me autoritetet publike të vendit.
Në fund të takimit, me pëlqimin e të gjithë pjesëmarrësve u bë ndarja e punëve dhe përgjegjësive për secilën organizatë prezentë në takim:
• Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – (KCSF) do të bëj identifikimin e fushave potenciale të bashkëpunimit me autoritetet publike në nivelin qendror, drejt Integrimit të Kosovës në BE;
• EUIRC dhe ATTA – do të bëjnë identifikimin e fushave potenciale të bashkëpunimit me autoritetet publike në nivelin lokal, drejt Integrimit të Kosovës në BE.
Të pranishëm në takim ishin katër (4) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Content retrieved from: http://www.civikos.net/sq/aktivitetet-e-platformes-civikos/Roli-i-shoqerise-civile-ne-procesin-e-Integrimit-Europian-38.