Skip to main content

14.03.2017 Në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës u prezantua raporti i parë i financimit publik për organizatat e shoqërisë civile nga institucionet publike si ministritë, komunat Zyra Presidentit etj.. Ky raport është hartuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë me mbështetjen e projektit dy vjeçar të financuar nga BE “Mbështetje për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile”, i cili synon të përmirësojë kapacitetet e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar bashkëpunim efektiv me shoqërinë civile në kryerjen e reformave të rëndësishme ekonomike dhe sociale.   Transparenca në ndarjen e fondeve publike ka qenë kërkesë e vazhdueshme e organizatave të shoqërisë civile, si dhe është pjesë e Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile. Sekretariati i Platformës CiviKos ka organizuar disa tryeza dhe paraqitje mediale rreth mos-transparencës në ndarjen e fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile nga institucionet publike.  Publikimi i këtij raporti është një hap në ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies rreth ndarjes së fondeve publike për OSHC. Florina Duli-anëtare e Këshillit për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me shoqërinë civile gjatë prezantimit të raportit theksoi që edhe pse publikimi i këtij raporti është një hap drejt transparencës ende mungojnë informatat më të detajuara se cilat kanë qenë projektet që janë zbatuar, impaktin qe kanë pasur këto projekte etj. Në kuadër të Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile është duke u punuar në hartimin e rregullores së re për ndarjen e fondeve publike për ojq, ku së shpejti kjo rregullore pritet të miratohet në Qeveri.

Raportin e plotë rreth ndarjes së fondeve publike mund ta gjeni në linkun më poshtë
https://zqm.rks-gov.net/Portals/0/Final%20Report%20on%20Funding%20NGOs%20from%20state%20budget_ALB.pdf