Platforma CiviKos, si urë ndërlidhëse në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe Qeverisë, mbajti kuvendin vjetor, më 16 dhjetor 2015 në “Hotel Sirius” në Prishtinë, ku morën pjesë një numër i madh i organizatave anëtare.
Kuvendin e shpalli të hapur kryesuesi i Bordit, z.Taulant Hoxha i cili bëri një prezantim rreth punës së Bordit të mandatit të kaluar. Si kryesues, Kuvendin e udhëhoqi Visar Sutaj nga organizata KDI, i cili u zgjodh në mënyrë unanime nga të pranishmit. Drejtorja Ekzekutive e Platformës CiviKos, znj. Valdete Idrizi, raportoi për punën dhe aktivitetet e Platformës CiviKos gjatë periudhës mes dy kuvendeve 2014-2015 si dhe u prezentua edhe raporti financiar. Ajo poashtu shpalosi edhe planin e punës së Platformës CiviKos për vitin 2016.
Në këtë Kuvend u diskutuan ndryshimet statutore, respektivisht propozimi për përjashtimin e organizatave anëtare pasive dhe propozimi për pagesë të antarësisë.
Gjithashtu, anëtarët votuan për një anëtar të Bordin e ri të Platformës CiviKos, i cili do të angazhohet për të fuqizuar përfaqësimin e interesave të organizatave të shoqërisë civile në raport me bashkëpunimin e strukturar me institucionet e Republikës së Kosovës.