Skip to main content

Qendra Kulturore dhe Informative të BE-së, në bashkëpunim me  sekretariatin e Platformës CiviKos, sot më datë 17.09.2015 kanë organizuar panel diskutues me temën ‘Transparenca dhe llogaridhënia e fondeve publike për organizatat e shoqërisë civile’. Në panel ishin të ftuar Valdete Idrizi – Platforma CiviKos, Hajrullah Çeku – EC Ma Ndryshe dhe Rexhep Vasolli- Ministria e Financave.

 

Gjatë panelit nga Valdete Idrizi u  prezantuan disa nga parregullsitë rreth shpërndarjes së fondeve publike nga ministritë e linjës, ku mungesa e kritereve për përzgjedhjen e projekteve, mbështetja e projekteve që nuk hyjnë në fushat e caktuara të ministrive, parregullsi të cilat  reflektojnë edhe në raportet e auditorit të përgjithshëm. Nxjerrja e rregulloreve nga ana e ministrive për subvencione pa konsultim adekuat me shoqërinë civile, po ashtu është problem shumë i madh që i hap rrugë shpërndarjes në mënyrë jo transparente të fondeve publike për shoqërinë civile.

 

Hajrullah Ceku nga Ec Ma Ndryshe solli perspektivën e përvojës së organizatave të kulturës, ku theksoi se Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit nuk ka kritere të qarta rreth mënyrës së shpërndarjes së fondeve publike në mes të institucioneve të pavarura të kulturës siç janë: Teatri, Baleti, Muzetë, festivalet e ndryshme dhe organizatat e shoqërisë civile.

 

Edhe nga pjesëmarrësit u kërkua për më shumë transparencë në shpërndarjen e fondeve për OSHC-të dhe theks të veçantë iu kushtua implementimit të Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017, dhe pjesëmarrjes së vazhdueshme të shoqërisë civile në krijimin e një sistemi transparent të shpërndarjes së fondeve publike.