Skip to main content

Sot me datë 05.10.2017 u mbajt takimi i radhës i Këshillit për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017.

 

Në këtë takim përveç anëtarëve të Këshillit nga qeveria dhe shoqëria civile dhe bordit të CiviKos i pranishëm ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Ramush Haradinaj.

 

Z. Taulant Hoxhaj kryesues i bordit të CiviKos dhe anëtarë i Këshillit nga shoqëria civile në fjalën hyrëse potencoi të arriturat kryesore të Strategjisë si:  Aprovimi i Rregullores për standardet minimale për procesin e konsultimit publik, dhe funksionalizimit të platformës online për procesin e konsultimit publik, si dhe  aprovimin e Rregullores për procedurat dhe kriteret për fonde publike për OJQ dhe publikimin e fondeve që Qeveria e Kosovës i ka ndarë për vitin 2015-2016.

 

Edhe pse është shënuar progres në zbatim të kësaj Strategjie, ende ka punë për tu bërë sa i përket zbatimit të rregulloreve të miratuara, e sidomos Rregullores për standardet minimale për procesin e konsultimit publik, zbatimi i së cilës përveç e ngritë cilësinë e ligjeve dhe dokumenteve tjera qeveritare dhe siguron pjesëmarrjen e qytetarëve ne politik-bërje, është  një nga treguesit kryesor të përkrahjes direkte buxhetore për reformën e administratës publike .

 

Anëtarët e Këshillit nga shoqëria civile kërkuan nga Kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës që për strategjinë e ardhshme të ketë:

 

· Vullnet politik për ta trajtuar seriozisht bashkëpunimin me sektorin tonë, e kjo e shprehur jo vetëm me deklarata pozitive, por me:

 

· Fonde të mjaftueshme, për vet ministritë/zyret e qeverisë, që të zbatojnë detyrat e marra.

 

· Burime njerëzore të mjaftueshme, sidomos koordinim dhe përkrahje për t’u siguruar që dokumentet që janë aprovuar po zbatohen.

 

· Përkrahje për zyrtarët e institucioneve përgjegjëse për të marrë pjesë aktive në punët që po na presin, por edhe kërkim i llogarisë për ata që nuk janë aktiv dhe nuk japin kontribut në proces.

 

Kryeministri Haradinaj vlerësoi të arriturat e zbatimit të Strategjisë, dhe rolin e shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse,  duke u zotuar që në të ardhmen do të përkushtohet për të adresuar të gjitha çështjet që janë ngritur gjatë takimit dhe se Institucionet e Kosovës do të përkushtohen që të zbatojnë obligimet qe dalin nga Strategjia e bashkëpunimit shoqëri civile-qeveri.