Skip to main content

Në kuadër të përgatitjeve për hartimin e kornizës së strategjisë së bashkëpunimit në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Kosovë, më 17 Mars u mbajt takimi i parë i grupit punues “Kontraktimi i disa shërbimeve publike tek shoqëria civile”.

Takimi filloi me identifikimin e shërbimeve publike të cilat ofrohen në Kosovë nga shoqëria civile. Më pas diskutimi u fokusua në vështirësitë ligjore dhe mungesën e përkrahjes financiare nga autoritetet publike drejt organizatave që i ofrojnë këto shërbime si dhe identifikimin e shërbimeve të nevojshme publike të cilat aktualisht nuk janë të mbuluara nga asnjë institucion.

Përfundimet e dala pas diskutimit nga pjesëmarrësit në takim mund të përmblidhen në pikat në vijim:

•    Në Kosovë ekziston numër relativisht i madh i organizatave të shoqërisë civile të cilat ofrojnë shërbime për qytetarët e Kosovës;

•    Fushat kryesore të cilat mbulohen nga OSHC – të me ofrimin e shërbimeve janë kryesisht shërbime sociale, edukative – arsimore, shëndetësore etj;

•    Përkundër numrit relativisht të madh të organizatave të shoqërisë civile të cilat ofrojnë shërbime publike në Kosovë, përkrahja financiare nga autoritetet publike të vendit nuk është e kënaqshme dhe e barabartë për të gjithë;

•    Mungesa e mbështetjes ligjore për ofrimin e shërbimeve publike;

•    Nevoja e përgjithshme e krijimit të një mekanizmi bashkëpunues me autoritetet publike në Kosovë dhe përcaktimi i standardeve për përfitimin e ofrimit të shërbimeve publike nga organizatat e shoqërisë civile;

•    Në takimet e radhës të grupit të vogël, të ftohen edhe organizatat tjera që ofrojnë shërbime e të cilat mund të mos jenë të njoftuara për këtë nismë.

Në fund të takimit, u bë ndarja e punëve dhe përgjegjësive për secilën organizatë prezentë në takim:

1.    Nga secili anëtar pjesëmarrës në takim të bëhet një analizë e shkurtër lidhur me kornizën ligjore ekzistuese për ofrimin e shërbimeve publike nga shoqëria civile;

2.    Të bëhet identifikimi i të gjitha fushave të cilat mbulohen me ofrimin e shërbimeve publike;

3.    Të bëhet identifikimi i fushave të pa mbuluara, gjegjësisht të nevojshme për ofrimin e shërbimeve publike;

4.    Secili pjesëmarrës në takim të listojë organizatat e shoqërisë civile për të cilat është i njoftuar se ofrojnë shërbime publike.

Të pranishëm në takim ishin dhjetë (10) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Content retrieved from: http://www.civikos.net/sq/aktivitetet-e-platformes-civikos/Kontraktimi-i-disa-sherbimeve-publike-tek-shoqeria-civile-40.