Grupi tematik për rritjen e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në politikë-bërje mbajti punëtorinë e radhës, ku u diskutua zbatimi i aktiviteteve të Objektivit 1. Rritja e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në politikë-bërje, të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023.
Si rezultat i vlerësimeve, dhe diskutimeve të zhvilluara gjatë këtij takimi, anëtarët e grupit dhanë rekomandimet e tyre në lidhje me aktivitetet që do të duhej të përfshihen në strategjinë e re.
Pjesëmarrësit vlerësuan se institucionet duhet të përdorin të gjitha kanalet e komunikimit për të shpërndarë informatat për mbajtjen e konsultimeve publike me qëllim që të sigurohet pjesëmarrje më e lartë e qytetarëve në politikë-bërje. Gjithashtu, u vlerësua se institucionet duhet të përgatisin raporte me të dhëna që do të informonin qytetarët se cilat janë ndryshimet kryesore në aktet legjislative në proces të ndryshimit krahasuar me ato në fuqi dhe të ketë vazhdimësi të informimit mbi përfshirjen ose jo të komenteve të dhëna nga qytetarët pjesëmarrës në konsultimet publike.
Kjo punëtori u realizua në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, i cili zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (@KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (@USAID Kosovo) në Kosovë. Platforma Civikos është partnere e KCSF në realizimin e këtij aktiviteti.