Skip to main content

Zhvillimet e fundit që ndërlidhen me përhapjen e virusit COVID-19/Coronavirus, përfshirë shpalljen e gjendjes së pandemisë nga OBSh dhe ndërmarrjen e masave parandaluese nga Qeveria e Kosovës, kanë pasur ndikim të drejtëpërdrejtë në punën e organizatave të shoqërisë civile.

 

Ne si organizata të shoqërisë civile kemi filluar masat për përballimin e kësaj situate duke mbyllur zyrat dhe duke zhvendosur punën tonë online, për të evituar maksimalisht ndërveprimin e drejtpërdrejtë në mes të punësuarëve/eve mes vete dhe me palë të treat.

 

Duke pasur parasysh udhëzimet e kufizuara nga autoritetet përkatëse për masat përkatëse në vende të punës, dhe mungesën e burimeve për to, organizata anëtare e Platformës CiviKos, KCSF ka përpiluar një udhëzues për punën në situatë të tillë (shkarko dokumentin këtu).

 

Ne përveç që i inkurajojmë të gjitha organizatat e shoqërisë civile që mund të konsiderojnë masa të ngjashme që të shfrytëzojnë dokumentin e detajuar të KCSF-së, me kërkesë të disa anëtareve të tjerë dhe lejen e KCSF, kemi vendosur me e hapë këtë udhëzues për sugjerime/plotësime në funksion të kompletimit të mëtejmë të dokumentit.

 

Ky udhëzues mund t’ju hyjë në përdorim dhe orientojë se si ta vazhdoni punën në rrethanat e reja. Andaj, udhëzuesi mund të përshtatet dhe përdoret varësisht nga nevojat specifike të organizatës tuaj. Gjithashtu, ne jemi të vetëdijshëm që mund të ketë edhe forma alternative të rregullimit të funksionimit tuaj të brendshëm.

 

Marrë parasysh kapacitetet e limituara me të cilat po funksionojmë, ne kemi vendosur me e lënë të hapur mundësinë për komente dhe sugjerime deri të premtën me datë 20 mars në fund të ditës. Të gjitha komentet e juaja do të merren parasysh në procesin e përpilimit të verzionit të fundit që do të përfshinte detaje të tjera në lidhje me punën specifike të organizatave të shoqërisë civile.

 

Faleminderit shumë për bashkëpunim dhe shpresojmë që së shpejti do t’i kthehemi normalitetit.