Në kuadër të përgatitjeve për hartimin e kornizës së strategjisë së bashkëpunimit në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Kosovë, më 24 Mars 2011, u mbajt takimi i parë i grupit punues “Përkrahja financiare e organizatave të shoqërisë civile”.
Përfundimet e dala pas diskutimit nga pjesëmarrësit në takim mund të përmblidhen në pikat në vijim:
• Mungesa e formave të standardizuara të shpërndarjes së fondeve qeveritare tek shoqëria civile i mundëson një numri të vogël dhe kryesisht të njëjtë të organizatave që të përfitojnë nga këto fonde;
• Në mënyrë që shpërndarja e fondeve të bëhet varësisht nga nevojat dhe prioritetet e komunitetit, është shumë e rëndësishme që të krijohet një mekanizëm për mbledhjen e fondeve publike;
• Përvojat e vendeve të rajonit tregojnë që ndërtimi i mekanizmit të bashkëpunimit në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike nuk ka qenë i lehtë dhe se ka zgjatë shumë.
Në fund të takimit, me pëlqimin e të gjithë pjesëmarrësve u bë ndarja e punëve dhe përgjegjësive për secilën organizatë prezentë në takim:
• SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe Down Syndrome Kosova – do të bëjnë një analizë të shkurtër bazuar në përvojat e vendeve të rajonit për krijimin e fondeve publike dhe menaxhimin e tyre;
• Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – (KCSF) do të bëj një analizë për format më të mira të shpërndarjes së fondeve publike tek organizatat e shoqërisë civile.
Të pranishëm në takim ishin pesë (5) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Content retrieved from: http://www.civikos.net/sq/aktivitetet-e-platformes-civikos/Perkrahja-financiare-e-organizatave-te-shoqerise-civile-37.