Platforma CiviKos ju fton të merrni pjesë në Konferencën Vjetore të saj. Kjo ngjarje do të mbahet të hënën, me 21 Nëntor 2016, nga ora 10:00, në sallën ceremoniale të Sheshit 21.
Kjo konferencë moderohet nga Znj. Valdete Idrizi – Drejtoreshë Ekzekutive e Platformës CiviKos, ndërsa diskutohet rreth bashkëpunimit të shoqërisë civile dhe Qeverisë me fokus në zbatimin e deritanishëm të Strategjisë Qeveritare, sfidat dhe arrijet, si dhe nevojat për vazhdimin e një bashkëpunimi të strukturuar. Diskutimi do të bëhet mes organizatave të shoqërisë civile dhe Z. Isa Mustafa, Kryeministër i Republikës se Kosovës. Të ftuar në këtë ngjarje janë organizatat anëtare të Platformës CiviKos, organizatat tjera të shoqërisë civile, përfaqësues të ZKM/ZQM, përfaqësues të Këshillit për Zbatimin e Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, media dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Në vitin 2011 është inicuar një proces zyrtar i hartimit të Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2013 – 2017, me Zyrën për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit dhe Platformën CiviKos që bashkë-kryesuan procesin e gjerë të konsultimeve. Me shumicën e kontributit gjatë hartimit nga ana e shoqërisë civile, Strategjia u miratua më 5 korrik 2013, që përfaqëson dokumentin e parë qeveritar që zyrtarisht njeh rolin e shoqërisë civile dhe angazhohet për të angazhuar sistematikisht në dialog me këtë sektor.