Më datë 14 Dhjetor 2016 u mbajt takimi i radhës i Këshillit për Zbatim të Strategjisë për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013-2017. Në këtë takim, siç kishte paralajmëruar edhe në konferencën vjetore të Platformës CiviKos, prezent ishte edhe Kryeministri Isa Mustafa.
Kryeministri Mustafa në takimin e Këshillit, theksoi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile, dhe tha se si qeveri janë të interesuar të fuqizohet edhe më tej roli i saj. Ai poashtu theksoi se hartimi i strategjisë me shoqërinë civile ka rëndësi në mënyrë që të jetë më efikase dhe më koherente.Për më tepër shtoi se edhe buxheti duhet të implementohet në harmoni me shoqërinë civile, për të pasur transparencë dhe llogaridhënie të fondeve publike.
Valdete Idrizi, bashkëkryesuese në Këshill dhe Drejtoreshë Ekzekutive e Platformës CivilKos, theksoi mungesën e transparencës me fondet publike, mos ndarjen e buxhetit për aktivitete të Këshillit, mungesën e kapaciteteve njerëzore në ZQM, pjesëmarrjen e ulët të zyrtarëve qeveritarë në aktivitete të ndryshme të përbashkëta. Ajo, gjithashtu kërkoi që të gjitha OJQ-të të trajtohen njësoj nga ministritë e linjës. Po ashtu Idrizi kërkoi të bëhet Rregullorja për Financimin e Shoqërisë Civile nga Qeveria.
Në takim u prezentuan edhe raportet nga koordinatorët e grupeve të Këshillit të cilet raportuan edhe të arriturat dhe sfidat e zbatimit të Strategjisë. Në takim u paraqit edhe hapja e platformës online për konsultime me publikun që do të lancohet në Janar të vitit 2017.