Këshilli për zbatimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile është një trupë e krijuar për të siguruar, koordinuar dhe monitoruar zbatimin e Strategjisë Qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile 2013-2017 si dhe Planin e Veprimit për zbatimin e kësaj Strategjie 2013 -2015. Këshilli ka 29 anëtarë, 14 përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 15 përfaqësues të shoqërisë civile. Nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, 1 është emëruar nga Platforma CiviKos ndërsa 14 të tjerë janë zgjedhur nga vet organizatat e shoqërisë civile.
Për shkak të largimit të tre anëtarëve të shoqërisë civile, kjo thirrje është për përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinjë në Këshill.
Për të përzgjedhur tre përfaqësuesit e shoqërisë civile në Këshill, ftohen OshC-të aktive në Kosovë për të nominuar përfaqësuesit e tyre. Ftesa nuk është e kufizuar vetëm te organizatat anëtare të Platformës CiviKos.
Për të nominuar një kandidat/e, OSHC-ja duhet të dorëzojë dokumentet e mëposhtme:
Formularin për Nominim, i nënshkruar nga përfaqësuesi i autorizuar i OshC-së;
Një biografi të kandidatit/es të nominuar;
Certifikatën e regjistrimit të OJQ-së ose një dokument që dëshmon aktivitetin e rrjetit jo-formal;
Dokumentet e kompletuara duhet të dorëzohen drejtëpërdrejtë ose me postë në adresën Platforma CiviKos, Rr. Bedri Pejani 7/a, 10000 Prishtinë, jo më vonë se 26 shkurt 2016.
OshC-të të cilat bëjnë nominime dhe kandidatët e nominuar duhet të plotësojnë kriteret bazë, siç janë të përcaktuara në Formularin për Nominim. Pas përfundimit të nominimit, paneli i përbërë nga një përfaqësues i Sekretariatit të Platformës CiviKos, një anëtar i Bordit të CiviKos-it dhe një përfaqësues i Zyrës për Qeverisje të Mirë të Zyres së Kryeministrit (ZQM/ZKM) do të verifikojë nëse kandidatët e nominuar i plotësojnë kriteret e kërkuara. Të gjithë kandidatët që konstatohet që i plotësojnë kriteret e kërkuara do të përfshihen në listën përfundimtare për votim.
Menjëherë pas përpilimit të listës përfundimtare për votim, Platforma CiviKos do të njoftojë publikisht për hapjen e procesit të votimit dhe do të publikojë në faqen e vet të internetit fletëvotimin zyrtar. Të gjitha OShC-të e regjistruara mund të votojnë për kandidatët e tyre të preferuar brenda një afati prej 5 ditësh nga hapja e procesit të votimit. Secila organizatë mund të votojë për 2 kandidatë nga lista e kandidatëve të përfshirë në fletëvotim.
Votuesit mund të hedhin votën e tyre me e-mail, postë të rregullt ose personalisht në zyrën e CiviKos. Në rastin e votimit me e-mail ose me postë të rregullt, organizata që voton duhet të dërgojë fletëvotimin e plotësuar dhe kopjen e certifikatës së regjistrimit të OJQ-së. Në rastin e votimit në zyrën e CiviKos, organizatat duhet të dorëzojnë kopjen e certifikatës së regjistrimit të OJQ-së dhe të hedhin fletëvotimin e tyre në kutinë e votimit në zyrën e CiviKos. Votimi anonim mund të bëhet vetëm nëpërmjet votimit në zyrën e CiviKos-it.
Procesi i votimit do të organizohet dhe menaxhohet nga një komision i përbërë nga personeli i Sekretariatit të Platformës CiviKos, që caktohet nga Drejtori Ekzekutiv i CiviKos. Pas përfundimit të afatit për votim, komisioni i Sekretariatit të Platformës CiviKos do të numërojë fletëvotimet për të përcaktuar se cili(a) kandidat(e) ka marrë numrin më të madh të votave. 3 kandidatët që marrin më së shumti vota zgjedhen si përfaqësues të OShC-ve në Këshill. Nëse dy kandidatë marrin numrin e barabartë të votave, vendi si përfaqësues i OShC-ve në Këshill do të përcaktohet me short në mes tyre.
Për të mbikëqyrur procesin e numërimit të votave, Platforma CiviKos do të ftojë në cilësinë e vëzhguesëve të gjitha OShC-të që kanë bërë nominime, rrjetet aktive të shoqërisë civile, përfaqësuesit e Departamentit për Regjistrim të OJQ-ve dhe përfaqësuesit e ZQM/ZKM.
Për të reflektuar diversitetin shoqëror dhe të shoqërisë civile në Kosovë, inkurajohet nominimi i grave, anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë dhe grupeve të nënpërfaqësuara.
Formulari për Nominim mund të shkarkohet nga faqja e internetit www.civikos.net
Për çfarëdo pyetje rreth këtij procesi të përzgjedhjes, kontaktoni Platformën CiviKos nëpërmjet e-mailit info@civikos.net ose numrit të telefonit 038 224 904.