Platforma CiviKos mbajti takimin e dytë informues me OJQ-të e rajonit Gjilan, Ferizaj, Kamenice, Viti, në Restaurant Orchide në Ferizaj me 26/06/2014. Takimi pati për qëllim informimin rreth zhvillimeve të zbatimit të strategjisë si dhe prezantimi i draftit të termave të referencës (draft rregullat) për punën e Këshillit për zbatimin e Strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile. Gjithashtu është diskutuar për përzgjedhjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile si dhe fazat e aplikimit deri në përzgjedhje dhe roli i grupeve punuese sipas Objektivave strategjike.
Vitin e kaluar është miratuar Strategjia Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2013 – 2017. Në mënyrë që kjo strategji të jetë sa më e zbatueshme, atëherë duhet të sigurohen edhe mekanizmat përcjellës për zbatim të kësaj strategjie, respektivisht themelimin e Këshillit për zbatim të Strategjisë Qeveritare, ku rregullat e punës (Termat e referencës) për funksionimin e këtij këshilli janë të hapura për konsultim publik nga Zyra për Qeverisje të Mirë /Zyra e Kryeministrit që nga data 17.06.2014 deri me datën 9.07.2014.
Qëllimi i takimeve ka të bëjë me informimin e Organizatave para se të shpallet ftesa publike për organizatat e shoqërisë civile për të aplikuar për anëtarësim në Këshill. Në këtë takim morën pjesë OJQ anëtare dhe jo-anëtare të Platformës CiviKos.
Takimet përkrahen nga TACSO – Zyra në Kosovë.