Sot u mbajt konferenca përmbyllëse e projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Sigurisë Kibernetike në të gjitha sektorët në Kosovë”, e cila mblodhi shumë përfaqësues nga shoqëria civile, institucionet publike dhe sektori privat për të reflektuar mbi arritjet dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të projektit tek qytetarët e Kosovës.
Në fjalën hyrëse, z. Dardan Kryeziu, Drejtor i Platforma Civikos, prezantoj rezultatet e projektit dhe theksoi rëndësinë për fuqizimin e sigurisë dhe ndërgjegjësimit qytetar përmes bashkëpunimit ndërinstitucional.
Znj. Karin Boven, Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe mbështetjes për institucionet shtetërore në fushën e sigurisë kibernetike.
Ndërsa, Znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, Komisionere për Informim dhe Privatësi, theksoi se ky projekt ka kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve të institucioneve publike dhe në informimin e qytetarëve mbi të drejtat e tyre në fushën e Mbrojtjes së të Shënave Personale.
Konferenca u përmbyll me panelin “Mbrojtja e të dhënave për një shoqëri me një të ardhme të sigurt”, ku përfaqësues nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, Oda Ekonomike e Kosovës, Asociacioni i Komunave te Kosovës dhe Institute for Technology and Society ndanë perspektiva praktike dhe vizionare mbi sfidat dhe të ardhmen e privatësisë në vend.
Diskutimet u zhvilluan në një frymë bashkëpunimi, duke konfirmuar se mbrojtja e të dhënave personale është një përgjegjësi e përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje digjitale më të sigurt për Kosovën.
Konferenca u realizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Sigurisë Kibernetike në të gjitha sektorët në Kosovë”, me përkrahjen e Ambasadës së Holandës në Kosovë.