Skip to main content

Prishtinë, 20 qershor 2024 – Zyra për Qeverisje të Mirë – Zyra e Kryeministrit, në bashkëpunim me Platforma CiviKos, përfunduan me sukses takimin e parë fillestar konsultativ për hartimin e Strategjisë së Re Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile për periudhën 2024-2029. Ky takim u mbajt sot dhe mblodhi një numër të konsiderueshëm përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile.

Gjatë këtij takimi, u diskutua gjerësisht Raporti i Vlerësimit të Strategjisë Qeveritare për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile 2019-2023. Ky raport shërbeu si bazë për të identifikuar sukseset, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga zbatimi i strategjisë së mëparshme, duke ofruar një udhëzues të vlefshëm për hartimin e strategjisë së re.

Pjesëmarrësit ndanë mendimet dhe rekomandimet e tyre, duke kontribuar me ide dhe propozime konkrete për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile në vitet e ardhshme. Diskutimet u fokusuan në çështje kyçe si rritja e transparencës, përfshirja e gjerë e komuniteteve të ndryshme dhe përmirësimi i mekanizmave të monitorimit dhe vlerësimit.

Zyra për Qeverisje të Mirë dhe Platforma CiviKos falënderuan të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmuar dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në këtë proces. Të dhënat dhe rekomandimet e mbledhura nga ky takim do të përfshihen në draftin e strategjisë së re.

Platforma CiviKos mbështet hartimin e Strategjisë, në kuadër të Programit për Angazhim Qytetar, i cili zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar në Kosovë (USAID Kosovo). Platforma Civikos është partnere e KCSF në realizimin e këtij programi.

#ProgramipërAngazhimQytetar