Skip to main content

Grupi punues për hartimin e Rregullores për Kontraktimin e Shërbimeve të OShC-ve, i përbërë nga anëtarë të institucioneve publike dhe shoqërisë civile ishte në vizitë studimore dy ditore në Sofje, Bullgari.

Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte eksplorimi i mekanizmave të kontraktimit të shërbimeve për Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) në Bullgari, pasi që kjo çështje është mirë e rregulluar në Bullgari. Marrja e eksperiencave dhe praktikave bullgare është vlerësuar nga grupi punues që do të ndihmonte përditësimin e legjislacionit sekondar, për të cilin ky grup ka punuar muajve të fundit.

 

Gjatë vizitës dy ditore, grupi punues takoi përfaqësues nga niveli qëndror, z.Lazar Lazarov, Zëvendësministri i Punës dhe Politikave Sociale, i cili theksoi se reforma në fushën e shërbimeve sociale është ndër prioritetet e politikës sociale në Bullgari dhe zbatimi efektiv i saj nuk do të ishte i mundur pa bashkëpunimin aktiv dhe dialogun konstruktiv ndërmjet të gjitha palëve të interesit. Në takim morën pjesë ekspertët nga Ministria e Punës dhe Politikave Sociale (MPPS), Agjencia për Ndihmë Sociale (ASP) dhe Agjencia për Cilësinë e Shërbimeve Sociale (AKSU). Ata prezantuan parimet kryesore në Aktin e Shërbimeve Sociale, i cili është baza e reformës së këtij sektori. 

Vizita u pasua nga takimi me nivelin lokal, ku grupi punues u prit nga znj. Nadezhda Dimitrova Bacheva, Nënkryetare e Bashkisë së Sofjes, e cila theksoi se si kontraktohen shërbimet sociale nga niveli lokal për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve të Bashkisë së Sofjes.

Në përmbyllje të ditës së parë, grupi punues u prit në takim miqësor nga Ambasada e Kosovës në Sofje. Gjatë takimit, z.Haxhi Bajraktari, Ambasadori i Kosovës në Sofje, tregoi për bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet bullgare dhe rëndësinë e Ambasadës tonë për koordinim dhe lobim në shumë fusha të interesit. Po ashtu, Ambasada e Kosovës në Sofje ka qenë edhe ndërmjetësuese për organizimin e këtyre takimeve me insitucionet lokale dhe qëndrore të Bullgarisë.   

Dita e dytë e vizitës iu kushtua takimeve me organizatat joqeveritare. Gjegjësisht, me SOS Fshatin e Femijëve në Sofje dhe Concordia Bulgaria, të cilët treguan në detaje për punën dhe sfidat e tyre në terren, si dhe përvojat e tyre gjatë procesit për aplikimin për ofrimin e shërbimeve sociale. Nga SOS Fshati i Fëmijëve theksuan se si reformat legjislative kanë ndikuar në cilësinë e punës, dhe rrjedhimisht ndryshimin e cilësisë së jetës për fëmijët dhe familjet në rrezik. Ndërsa kolegët nga Concordia Bulgaria treguan mbi bashkëpunimin me insititucionet lokale, mekanizmat e financimit dhe mundësitë që ofrojnë buxhetet e deleguara për shërbime sociale. Pas diskutimit, grupi punues patën mundësinë të shohin disa nga aktivitetet e Ndërmarrjes Sociale Concordia, më saktë punëtorinë e qirinjve dhe qeramikës, që ofrojnë mundësi punësimi për të rinjtë nga grupet vulnerabël.

Marrja e dy perspektivave – ajo e qeverisjes dhe ajo e organizatave joqeveritare, sigurisht që ka kontribuar në pasurimin e kuptimit të drejtë dhe të detajuar të kësaj çështje me shumë interes për grupin punues.

Vizita studimore në Sofje, Bullgari u organizua nga Platforma Civikos me mbështetje nga projekti HumanRightivism dhe financuar nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë përmes Fondit për Zhvillim Komunitar (Community Development Fund – CDF).

Kjo vizitë studimore është koordinuar me National Network for Children Bulgaria, organizatën partnere në Bullgari.