Në kuadër të përgatitjeve për hartimin e kornizës së strategjisë së bashkëpunimit në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Kosovë, më 22 Mars, 2011, u mbajt takimi i parë i grupit punues “Fuqizimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrje”.
Takimi filloi me diskutimin e gjendjes aktuale të përfshirjes së shoqërisë civile në proceset e konsultimit publik dhe të vendimmarrjes për të vazhduar më pas me rekomandime konkrete lidhur me fuqizimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrje.
Përfundimet e dala pas diskutimit nga pjesëmarrësit në takim mund të përmblidhen në pikat në vijim:
- Strategjia e bashkëpunimit u konsiderua se duhet të shtrihet edhe në Parlamentin e Kosovës, pasi që Parlamenti i Kosovës është organi kryesor legjislativ, i cili vendos për miratimin e ligjeve në Kosovë;
- Mungesa e një databaze të OJQ – ve, të kategorizuar në bazë të fushës së veprimit të tyre, u konsiderua të jetë një vështirësi serioze drejt bashkëpunimit në mes të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike;
- Organizatat e shoqërisë civile të përfshihen në grupe punuese për nxjerrjen e akteve nënligjore;
- Platforma CiviKos mundësi shumë e mirë edhe për ndërlidhjen e OJQ – ve në mes vete, pasi që jo rrallë organizatat e shoqërisë civile hasin në vështirësi për identifikimin e OJQ – ve specifike në fusha të caktuara.
Në fund të takimit, me pëlqimin e të gjithë pjesëmarrësve u bë ndarja e punëve dhe përgjegjësive për secilën organizatë prezentë në takim:
1. Instituti Demokratik i Kosovës – (KDI) do të bëj identifikimin fushave të bashkëpunimit me Parlamentin e Kosovës që mund të përfshihen në kuadër të strategjisë së bashkëpunimit;
2. Regional Environmental Center – (REC) dhe Fondacioni për Mbrojtje të Mjedisit – (FMM) do të bëjnë përcaktimin e disa parimeve të konsultimit në fushën e mbrojtjes së ambientit;
3. Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – (QKSS) do të bëj shpjegimin e koncepteve të bashkëpunimit me autoritetet publike në Kosovë, gjegjësisht konceptin “Community based” dhe “Think tank based”;
4. Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – (KCSF) do të bëj identifikimin e parimeve bazë të konsultimit publik në Kosovë, në nivelin qendror;
5. OJQ KOHA – do të bëj një analizë të ligjit për vetëqeverisje lokale, për të identifikuar mundësitë që ofron ky ligj për përfshirjen e shoqërisë civile në vendimmarrje dhe nevojat për plotësimin e ligjit.
Të pranishëm në takim ishin njëmbëdhjetë (11) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Content retrieved from: http://www.civikos.net/sq/aktivitetet-e-platformes-civikos/Fuqizimi-i-pjesemarrjes-se-shoqerise-civile-ne-vendimmarrje-39.