VOTIMI PËR PËRFAQËSUES TË SHOQËRISË CIVILE NË KOMISIONIN PËR NDIHMË SHTETËRORE

Në bazë të Ligjit mbi Ndihmën Shtetërore (më tej Ligji), Komisioni i Ndihmës Shtetërore (më tej Komisioni) është organ vendimmarrës për ndihmë shtetërore. Komisioni vepron mbi baza “Ad hoc” dhe është i pavarur në vendimmarrje dhe ushtrimin e funksioneve të tij.
Komisioni përbëhet nga pesë (5) anëtarë në këtë përbërje:

1. Ministri i Financave, Kryesues;
2. Ministri për Integrime Evropiane;
3. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë;
4. Shoqëria Civile një (1) anëtar; dhe
5. Kryetari i Asociacionit të Komunave.

Komisioni emërohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës bazuar në propozimin e Ministrisë së Financave. Ligji kërkon ruajtjen e informatave të karakterit sekret që nxirren gjatë procedurave për vlerësimin dhe mbikëqyrjen e ndihmës shtetërore. Anëtarët e Komisionit, janë të detyruar t’i ruajnë sekretet edhe pas përfundimit të funksioneve të tyre.
Për informata më të detajuara rreth detyrave dhe përgjegjësive të komisionit ju lutëm referojuni RREGULLORES MF - NR. 1/2013 PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT TË NDIHMËS SHTETËRORE

Për të përzgjedhur përfaqësuesin e shoqërisë civile në Komision, ftohen OshC-të aktive në Kosovë për të votuar. Ftesa nuk është e kufizuar vetëm te organizatat anëtare të Platformës CiviKos. Votimi do të jetë i hapur nga 16 deri me 23 Korrik 2015 në ora 16:00.

Të drejtë për të votuar për kandidatët e nominuar kanë të gjitha OShCtë e regjistruara sipas Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ, të cilat posedojnë Certifikatë të Regjistrimit të OJQ-së.
Të gjitha OShC-të e regjistruara mund të votojnë për kandidatët e tyre të preferuar brenda një afati prej 5 ditësh nga hapja e procesit të votimit. Secila organizatë mund të votojë për 1 kandidat nga lista e kandidatëve të përfshirë në fletëvotim.

Votuesit mund të hedhin votën e tyre me e-mail, postë të rregullt ose personalisht në zyrën e CiviKos. Në rastin e votimit me e-mail ose me postë të rregullt, organizata që voton duhet të dërgojë fletëvotimin e plotësuar dhe të skenuar dhe kopjen e certifikatës së regjistrimit të OJQ-së.

Votimi përmes emailit bëhet në këtë email: votimi@civikos.net. Votimi përmes postës bëhet në adresën: Platforma CiviKos, Rruga Bedri Pejani 7/a, 10000 Prishtinë. Në rastin e votimit në zyrën e CiviKos, organizatat duhet të dorëzojnë kopjen e certifikatës së regjistrimit të OJQ-së dhe të hedhin fletëvotimin e tyre në kutinë e votimit në zyrën e CiviKos. Votimi anonim mund të bëhet vetëm nëpërmjet votimit në zyrën e CiviKos-it. Votimi në zyret e Platformës Civikos mundet të bëhet nga 16 deri me 23 Korrik 2015 nga ora 10:00 deri në ora 16:00.

Procesi i votimit do të organizohet dhe menaxhohet nga një komision i përbërë nga personeli i Sekretariatit të Platformës CiviKos, që caktohet nga Drejtori Ekzekutiv i CiviKos. Pas përfundimit të afatit për votim, komisioni i Sekretariatit të Platformës CiviKos do të numërojë fletëvotimet për të përcaktuar se cili kandidat ka marrë numrin më të madh të votave. Nëse dy kandidatë marrin numrin e barabartë të votave,  përfaqësuesi i OShC-ve do të përcaktohet me short në mes tyre.

Për të mbikëqyrur procesin e numërimit të votave, Platforma CiviKos do të ftojë në cilësinë e vëzhguesve të gjitha OShC-të që kanë bërë nominime, rrjetet aktive të shoqërisë civile, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe palët tjera të interesuara.

Formulari për votim dhe të gjitha informatat shtesë rreth procesit mund të gjenden në www.civikos.net

Fletëvotimi mund të shkarkohet nga faqja e internetit www.civikos.net

Për t’u njohtuar me kandidatët e nominuar, mundeni të shikoni dosjen e e tyre (formulari për nominim, biografia e kandidatit dhe certifikata e regjistrimit të OJQ-së) në faqjen e internetit www.civikos.net.

Për çfarëdo pyetje rreth këtij procesi të votimit, kontaktoni Platformën CiviKos nëpërmjet e-mailit info@civikos.net ose numrit të telefonit 038 224 904.

<< Kthehu mbrapa