Dren Puka - Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)

Dren Puka është Drejtor për Hulumtim dhe Avokim në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Ai është përgjegjës për udhëheqjen e dy studimeve kryesore dhe të rregullta për shoqërinë civile, Indeksi Kosovar i Shoqërisë Civile, Matrica e monitorimit për ambientin e favorshëm për zhvillim të shoqërisë civile. Poashtu, në KCSF Dreni ka dizajnuar programet për ngritje të kapaciteteve të OShC-ve në temat që kanë të bëjnë me qeverisjen e organizatave të shoqërisë civile dhe pjesëmarrjen në hartim të politikave. Është bashkë hartues dhe udhëheqës i Metodologjisë për Monitorim të Standardeve Minimale për Procesin e Konsultimit Publik. Si përfaqësues i shoqërisë civile, ai ka qenë pjesë e grupit punues për hartimin e Strategjisë së parë për bashkëpunim të Qeverisë me shoqërinë civile, ka përfaqësuar pozicionin e shoqërisë civile në grupin punues për hartimin e akteve nënligjore të Ligjit për Liri të Asocimit në OJQ, dhe aktualisht është pjesë e grupit punues për hartimin e Koncept Dokumentit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Në periudhën 2007-2009 ka qenë pjesë e Këshillit Rinor Kosovar (KYC) ku është angazhuar në themelimin e këshilleve të nxënësve në shkollat e mesme të Kosovës, dhe në rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe djemve në jetën publike. Nga viti 2010 deri në vitin 2012 ka qenë kordinator i Platformës Civikos, dhe përgjegjës për menaxhimin e Platformës, zgjerimin e anëtarësisë dhe përfaqësimin e Platformës CiviKos në trupat e autoriteteve publike. Studimet e magjistraturës i ka përfunduar në Universitetin e Rochesterit në New York, drejtimi Politika të Edukimit. Është autor i Indeksit Kosovar të Shoqërisë Civile 2018, Matricës për monitorim për ambientin e favorshëm për zhvillim të shoqërisë civile, si dhe bashkë-autor i librit Zhvillimi i Shoqërisë Civile në Shtetet e ish Jugosllavisë nga viti 1980 (The Development of Civil Society in the Countries on the Territory of the former Yugoslavia Since the 1980s: The Development of Civil Society in Kosovo since 1999.)


Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) është organizatë e pavarur, jofitimprurëse, që përkrahë zhvillimin e shoqërisë civile dhe nismat që promovojnë një kulturë demokratike dhe i përgjigjen nevojave socio-ekonomike të Kosovës, me fokus të veçantë në dhënien e kontributit për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

KCSF, përmes tri njësive të saj, Njësia e Rigrantimit, Njësia e Hulumtimit dhe Avokimit, si dhe Qendra për OJQ, angazhohet në:

- Ngritje të kapaciteteve për organizatat e shoqërisë civile; hulumtime; analiza dhe publikime për sektorin e shoqërisë civile; avokim për përmirësimin ambientit në të cilin vepron shoqëria civile në Kosovë; ngritje të kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për procesin e integrimit europian;

- Ngritje të kapaciteteve të zyrtarëve publik, studentëve dhe palëve tjera të interesuara për procesin e integrimit europian; informim dhe ngritje e vetëdijes rreth procesit të integrimit europian; promovim i bashkëpunimit rajonal dhe europian të shoqërisë civile; hulumtime, analiza dhe publikime rreth procesit të integrimit europiane; debate dhe diskutime publike për çështje të lidhura me BE;

- Financimi i projekteve të shoqërisë civile përmes rishpërndarjes së fondeve të donatorëve.

Disa nga aktivitetet kryesore të KCSF-së gjatë 3 viteve të fundit e që kanë të bëjnë me zhvillimin e shoqërisë civile janë: menaxhimi i skemës së granteve për shoqëri civile të Qeverisë Zvicerane (DSP 2), të Luksemburgut, Norvegjisë, dhe Kanadasë, Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet etj.; Qendra e KCSF-së, e cila në baza të rregullta ofron informata dhe ngritje të kapaciteteve për organizatat e shoqërisë civile dhe palët tjera të interesuara; kontributi i drejtpërdrejtë në avancimin e kornizës ligjore për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në punën e Qeverisë; avokimi dhe lehtësimi i dialogut në mes të Komisionit Europian dhe shoqërisë civile në Kosovë; koordinimi i përfaqësimit të pozicionit të shoqërisë civile në procesin e hartimit të Ligjit për Liri të Asocimit në OJQ; Inicimi dhe udhëheqja e grupit avokues prej rreth 300 OShC-ve për parandalimin vjedhjes së kapitalit të OJQ-ve përmes ndryshimeve në Ligjin për OJQ.

<< Kthehu mbrapa