Avdyl Gashi - Qendra e Rinise Drenas (QRD)

Për zërin e rinisë dhe të mirën kolektive

--

Tung, jam Avdyl Gashi - fusha ime e ekspertizes është Menaxhimi dhe Marketingu. Entuziazmi për të bërë zërin rinor pjesë të vendimmarrjes dhe për të mbrojtur interesat kolektive, më ka shtyrë që vullnetarisht të kandidoj për të qenë pjesë e Këshillin për Bashkëpunim të Qeverisë me Shoqërinë Civile.

Angazhimin për komunitetin e kam filluar qysh nga shkolla e mesme e ulët si kryetar i këshillit të nxënësve, klasa 8/9 në vitet 2007-2009. Dashuria për punë, pavarësi personale dhe entuziazmi të provoj gjëra të reja më ka shtyrë që gjatë shkollës së mesme të sfidoj veten në gazetari, ku më vonë mora kontratë pune, me gjysëm orari si Gazetar Hulumtues për Emisionin dhe Gazeten "Jeta në Kosovë". (2011/2012) Përveç zhvillimit të aftësive të komunikimit, organizimit, menaxhimit të kohës dhe stresit, nëpërmjet punës fitova shumë njohuri për mënyrën e qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve shtetërore. Rrjedhimisht, kuptova nevojën e madhe që vendi ynë ka për angazhim e kontribut për zhvillim. Duke pasur mentalitetin e vetë-iniciativës, i tërë informacioni mu shëndrrua në kurajo dhe dashni për Kosovën. Me këtë entuziazëm, angazhimi im vazhdoi në aktivitete/projekte të ndryshme qoftë vullnetare ose jo. Disa për të përmendur: Asistent i Projektit "Shkolla e Aktivizmit në Prishtinë" organizuar nga Iniciativa për Progres INPO(2013), Zyrtar për Komunikim me Publikun në nismën për mbrojtjen e mjedisit “Let's Do It Kosova” (2013). Gazetar stafi në revisten “Kosovo2.0” (viti 2015), si Menaxher i Projekteve dhe Marketingut në kompaninë e dizajnit dhe marketingut “Trembelat”(2016), Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest” (2017) dhe në OJQ “Germin”(2018).

Nëpërmjet edukimit jo-formal kam pasur mundësinë që të ndërtoj kapacitetet e mia dhe të zgjeroj njohuritë në tema si të drejtat e njeriut, politikat dhe menaxhimi institucioneve publike, barazia gjinore, fuqizimi rinor etj. Gjatë këtyre aktiviteteve kam zhvilluar edhe shumë bashkëpunime me moshatarë nga vende të ndryshme, e poashtu kam përfaqësuar Kosovën në trajnime të ndryshme të programeve të Bashkimit Europian si “Youth in Action”, “Erasmus+” etj Në vitin e kaluar kam diplomuar nga Akademia Politike për Social-Demokraci e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung. Ndërsa, së fundi jam pranuar nga Instituti Suedez, për të ndjekur në Universtin e Malmos, programin “Krijimi i Qëndrueshmërisë në Menaxhim të Institucioneve dhe politika publike”. Përgjatë viteve të kaluara kam organizuar ose kam qenë pjesë ekipit të projekteve ose iniciativave të ndryshme si peticioni për autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë, realizimi i projektit avokues për Ndërmarrësi Sociale Social Innovators Speaking Series, pjesë e grupit “Marshojmë, s’festojmë” etj. Në vitin 2013 jam shpallur fitues për idenë më të mirë në sfidën e UP-së, me propozimin për të krijuar sistemin online të komunikimit “@uni-pr.edu”.

Angazhimi momental fokusohet në përmirësimin e të drejtave të punëtorëve dhe avansimin e rinisë kosovare në edukim cilësor dhe mirëqenie shoqërore. Disa nga vlerat në të cilat besoj janë mundësi të barabarta, diversitet shoqëror dhe respekt e bashkëpunim të ndërsjellë. Momentalisht kontributin tim e jap si Drejtor Ekzekutiv i OJQ- Qendra Rinisë Drenas, si antarë i Komunitetit të ndryshimtarëve global - Global Shapers Community Prishtina, dhe si pjesë e grupit punues për realizimin e nismës Kongresi Kombëtar i Rinisë Kosovë.

https://www.facebook.com/avdylgashi.k

avdylgashi.k@gmail.com

 

Përshkrimi i Organizatës:

Organizata jo-qeveritare Qendra Rinisë Drenas është regjistruar nga viti 2003, dhe pas një pauze në vitin 2018 bashkë me disa shokë e shoqe e kemi rikthyer në funksion. Vizioni ynë është një rini e cila ka një mendim kritik mirë të zhvilluar, ka hapësirë ku të shpreh dhe zhvilloj talentin e vet, ka programe të cilat ndihmojnë orientimin në karrierë, rini e cila është mirë e përgatitur për tregun e punës, por edhe që është konkurruese në mënyrën e të menduarit kreativ dhe konstruktiv me bashkëmoshatarët e tyre në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

<< Kthehu mbrapa