Roli i shoqërisë civile në procesin e Integrimit Europian

Në kuadër të përgatitjeve për hartimin e kornizës së strategjisë së bashkëpunimit në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Kosovë, më 23 Mars 2011, u mbajt takimi i parë i grupit punues “Roli  i shoqërisë civile në procesin e Integrimit Europian”.

Fillimi i takimit u karakterizua me diskutimet e pjesëmarrësve mbi rëndësinë e angazhimit të organizatave të shoqërisë civile në procesin Integrimit Europian të Kosovës, situatën aktuale të bashkëpunimit me autoritetet publike në nivelin qendror dhe lokal, përvojat e vendeve te rajonit drejt formalizimit të një bashkëpunimi të strukturuar në mes të organizatave të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike të vendit, etj.

Përfundimet e dala pas diskutimit nga pjesëmarrësit në takim mund të përmblidhen në pikat në vijim:

•    Në takimet e radhës të grupit punues të ftohen organizata tjera të cilat veprimtarinë e tyre e kanë të shtrirë në fushën e Integrimit Europian, në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje të organizatave;

•    Bashkëpunimi i organizatave të shoqërisë civile me autoritetet publike në Kosovë ekziston vetëm në raste të caktuara, mungon një strukturim i këtij bashkëpunimi;

•    Kontributi i organizatave të shoqërisë civile në procesin e Integrimit Europian duhet të njihet institucionalisht;

•    Të shfrytëzohen maksimalisht praktikat e mira të vendeve të rajonit drejt krijimit të një mekanizmi të mirëfilltë bashkëpunimi me autoritetet publike të vendit.

Në fund të takimit, me pëlqimin e të gjithë pjesëmarrësve u bë ndarja e punëve dhe përgjegjësive për secilën organizatë prezentë në takim:

•    Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – (KCSF)  do të bëj identifikimin e fushave potenciale të bashkëpunimit me autoritetet publike në nivelin qendror, drejt Integrimit të Kosovës në BE;

•    EUIRC dhe ATTA – do të bëjnë identifikimin e fushave potenciale të bashkëpunimit me autoritetet publike në nivelin lokal, drejt Integrimit të Kosovës në BE.

Të pranishëm në takim ishin katër (4) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

<< Kthehu mbrapa