Procesi i votimit për përzgjedhjen e përfaqësuesit të të rinjve në Bordin Drejtues të ZRBR

Pas përfundimit të nominimit, paneli i përbërë nga një përfaqësues i Sekretariatit të Platformës CiviKos, një përfaqësues i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) dhe një përfaqësues nga Këshilli Qëndror i Veprimit Rinor ka verifikuar nëse kandidatët e nominuar i plotësojnë kriteret e kërkuara. Shtatë kandidatë të nominuar i kanë plotësuar kriteret e kërkuara dhe janë përfshirë në listën përfundimtare për votim, kurse një kandidat nuk është përfshirë pasi që është nominuar pas afatit të paraparë për nominime.

Me këtë rast  Platforma CiviKos publikisht njofton për hapjen e procesit të votimit. Të gjitha OShC-të e regjistruara mund të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar brenda një afati prej 5 ditësh, nga data 27 Tetor deri me 3 Nëntor 2016. Secila organizatë mund të votojë për 1 kandidat nga lista e kandidatëve të përfshirë në fletëvotim.

Votuesit mund të hedhin votën e tyre me e-mail, postë të rregullt ose personalisht në zyrën e CiviKos. Në rastin e votimit me e-mail ose me postë të rregullt, organizata që voton duhet të dërgojë fletëvotimin e plotësuar dhe kopjen e certifikatës së regjistrimit të OJQ-së.
Në rastin e votimit në zyrën e CiviKos, organizatat duhet të dorëzojnë kopjen e certifikatës së regjistrimit të OJQ-së dhe të hedhin fletëvotimin e tyre në kutinë e votimit në zyrën e CiviKos. Votimi anonim mund të bëhet vetëm nëpërmjet votimit në zyrën e CiviKos-it. Poashtu mundeni të votoni duke dorëzuar përmes postës së rregullt në adresën: Platforma CiviKos, Rruga Bedri Pejani 7/a, 10000 Prishtinë, Kosovë.

Procesi i votimit do të organizohet dhe menaxhohet nga një komision i përbërë nga personeli i Sekretariatit të Platformës CiviKos, që caktohet nga Drejtori Ekzekutiv i CiviKos. Pas përfundimit të afatit për votim, komisioni i Sekretariatit të Platformës CiviKos do të numërojë fletëvotimet për të përcaktuar se cili(a) kandidat(e) ka marrë numrin më të madh të votave. 1 kandidat që merr më së shumti
vota zgjedhet si përfaqësues i OShC-ve në Bordin Drejtues të ZRBR-së. Nëse dy kandidatë marrin numrin e barabartë të votave, vendi si përfaqësues i OShC-ve në Bordin Drejtues do të përcaktohet me short në mes tyre.

Për të mbikëqyrur procesin e numërimit të votave, Platforma CiviKos do të ftojë në cilësinë e vëzhguesëve të gjitha OShC-të që kanë bërë nominime, rrjetet aktive të shoqërisë civile, përfaqësuesit e Departamentit për Regjistrim të OJQ-ve dhe përfaqësuesit e MKRS-së.

Kriteret për organizatat që votojnë për kandidatët e nominuar
Të drejtë për të votuar për kandidatët e nominuar kanë të gjitha OShCtë e regjistruara sipas Ligjit për Liri të Asociimit në OJQ, të cilat posedojnë Certifikatë të Regjistrimit të OJQ-së.

Fletëvotimi si dhe biografia e secilit kandidat mund të shkarkohet nga faqja e internetit www.civikos.net

Votimi bëhet në email adresën info@civikos.net

Për çfarëdo pyetje rreth këtij procesi të votimit, kontaktoni Platformën CiviKos nëpërmjet e-mailit info@civikos.net ose numrit të telefonit 038 224 904.

<< Kthehu mbrapa