Fuqizimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrje

Në kuadër të përgatitjeve për hartimin e kornizës së strategjisë së bashkëpunimit në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike në Kosovë, më 22 Mars, 2011, u mbajt takimi i parë i grupit punues “Fuqizimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrje”.

Takimi filloi me diskutimin e gjendjes aktuale të përfshirjes së shoqërisë civile në proceset e konsultimit publik dhe të vendimmarrjes për të vazhduar më pas me rekomandime konkrete lidhur me fuqizimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrje.

Përfundimet e dala pas diskutimit nga pjesëmarrësit në takim mund të përmblidhen në pikat në vijim:

•    Strategjia e bashkëpunimit u konsiderua se duhet të shtrihet edhe në Parlamentin e Kosovës, pasi që Parlamenti i Kosovës është organi kryesor legjislativ, i cili vendos për miratimin e ligjeve në Kosovë;


•    Mungesa e një databaze të OJQ – ve, të kategorizuar në bazë të fushës së veprimit të tyre, u konsiderua të jetë një vështirësi serioze drejt bashkëpunimit në mes të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike;

•    Organizatat e shoqërisë civile të përfshihen në grupe punuese për nxjerrjen e akteve nënligjore;

•    Platforma CiviKos mundësi shumë e mirë edhe për ndërlidhjen e OJQ – ve në mes vete, pasi që jo rrallë organizatat e shoqërisë civile hasin në vështirësi për identifikimin e OJQ – ve specifike në fusha të caktuara.

Në fund të takimit, me pëlqimin e të gjithë pjesëmarrësve u bë ndarja e punëve dhe përgjegjësive për secilën organizatë prezentë në takim:

1.    Instituti Demokratik i Kosovës – (KDI)  do të bëj identifikimin fushave të bashkëpunimit me Parlamentin e Kosovës që mund të përfshihen në kuadër të strategjisë së bashkëpunimit;

2.    Regional Environmental Center – (REC) dhe Fondacioni për Mbrojtje të Mjedisit – (FMM) do të bëjnë përcaktimin e disa parimeve të konsultimit në fushën e mbrojtjes së ambientit;

3.    Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë – (QKSS) do të bëj shpjegimin e koncepteve të bashkëpunimit me autoritetet publike në Kosovë, gjegjësisht konceptin “Community based” dhe “Think tank based”;

4.    Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile –  (KCSF)  do të bëj identifikimin e parimeve bazë të konsultimit publik në Kosovë, në nivelin qendror;

5.    OJQ KOHA – do të bëj një analizë të ligjit për vetëqeverisje lokale, për të identifikuar mundësitë që ofron ky ligj për përfshirjen e shoqërisë civile në vendimmarrje dhe nevojat për plotësimin e ligjit.

Të pranishëm në takim ishin njëmbëdhjetë (11) përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

<< Kthehu mbrapa