Dialogu mes palëve të interesit për qasjen e OJQ-ve në shërbimet financiare

Platforma Civikos dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) kanë organizuar takimin përbashkët në mes të organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve publike relevante për të diskutuar rreth sfidave dhe problemeve që kanë OJQ-të në Kosovë në qasjen në shërbime financiare. Kjo tryezë është organizuar në bashkëpunim me European Centre for Non-Profit Law (ECNL) me bazë në Holandë. Për më tepër, ekspertët e organizatës Human Security Collective me bazë në Holandë kanë ndarë praktikat e mira evropiane se si disa shtete i kanë adresuar problemet e ngjashme me të cilat OJQ-të janë ballafaquar në qasjen në shërbime financiare.

Qëllimi i këtij takimi është ngritja e dialogut ndër-institucional ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, institucioneve përgjegjëse për shërbime bankare, dhe organizatave të shoqërisë civile në mënyrë që të diskutojmë se si mund të adresojmë problemet me të cilat OJQ-të po ballafaqohen në qasjen në shërbimet bankare, dhe në të njëjtën kohë të adresojmë rreziqet e mundësive të shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit në sektorin jo-qeveritar.

Në tryzë ishin të pranishëm zyrtarë nga Ministria e Financave, Ministria e Administratës Publike – Departamenti i OJQ, Banka Qendrore – Divizioni për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Njesia e Intelegjences Financiare, Asociacioni i Bankave të Kosovës, përfaqësues nga fondacione dhe organizata të shoqërisë civile në Kosovë.

Kjo tryezë shënon aktivitetin e dytë publik që CiviKos ka organizuar në këtë drejtim, kurse evente të tjera avokuese do të organizohen në funksion të ngritjes së bashkëpunimit ndër-institucional dhe lehtësimin e qasjes se OJQ në shërbime financiare.

Raportin NDIKIMI I KUFIZIMEVE BANKARE TEK OJQ-TË NË KOSOVË e gjeni këtu.

<< Kthehu mbrapa