Platforma CiviKos mbajti kuvendin vjetor

Pas një angazhimi në fuqizimin e vazhdueshëm të Platformës CiviKos, si urë ndërlidhëse në mes të sektorit të shoqërisë civile dhe Qeverisë, Platforma CiviKos mbajti kuvendin vjetor, më 4 Prill 2014 në “Sheshi 21” në Prishtinë, ku morën pjesë 75 anëtarë, 68 organizata anëtarë me të drejtë vote.

Kuvendin e shpalli të hapur kryesuesi i Bordit, z.Taulant Hoxha. Pasi bëri një prezantim rreth punës së Bordit të mandatit të kaluar, fjalën e pati Drejtoresha Ekzekutive e Platformës CiviKos, e cila raportoi për punën dhe aktivitetet e Platformës CiviKos gjatë vitit 2012-2013. Ajo poashtu shpalosi edhe planin e Platformës CiviKos për vitin 2014.

Me mbi 130 organizata anëtare, shumica nga të cilat u përfaqësuan në Kuvend, Platforma CiviKos aprovoi ndryshimet statutore dhe dokumentet për rregullimin e brendshëm të saj. Në këtë takim të Kuvendit të Platformës CiviKos u votuan dhe u miratuan në tërësi si dokumente të reja e të konsultuara me anëtarë që nga viti i kaluar: Rregullorja e Punës (përfshirë mekanizmat për përzgjedhje dhe përfaqësim) si dhe Kodi Etik.  .

Gjithashtu, anëtarët zgjodhën Bordin e ri të Platformës CiviKos, i cili do të angazhohet për të fuqizuar përfaqësimin e interesave të organizatave të shoqërisë civile në raport me bashkëpunimin e strukturar me institucionet e Republikës së Kosovës. Anëtarët e rinj të Bordit të Platformës CiviKos janë: Taulant Hoxha (KCSF), Sihana Mehmeti (KFOS), Driton Selmanaj (KDI), Feride Rushiti (QKRMT), Petrit Tahiri (KEC), Bujar Kadriu (Shoqata e të Verbërve të Republikës së Kosovës), Hajrulla Çeku (Ec ma ndryshe), Petrit Zogaj (Lëviza FOL) dhe Hilmi Jashari (CRP Kosovë).

<< Kthehu mbrapa